E diela poetike me poetin ;-Sabit RRUSTEMI
ALI PODRIMJA ËSHTË FAJTOR
—————————————
Në emër të poezisë
Në emër të popullit lexues
Ali Podrimja është fajtor
Sepse ka lëshuar thirrje
Kushtrim
Brenda tokës arbërore
Hijës së saj
Ka parë vetëm zi dhe mace të zeza
Gjarpërin në zot duke kërkuar
Njerëzit i ka harruar
Emblemë të veten ka bërë kullën
Gurin ujin pyllin e pakufi
E nuk i ka mjaftuar me kaq
Sytë na i ka verbuar
Sa n’këtë gazetë sa n’atë revistë
Sa n’këtë libër sa n’atë libër
Për një estetikë qenqe që e ka parë tek të tjera
Një kodër
Me p’shtymë
Ka ngritur
Gjuhëve të botës është ngatërruar
Vetëm tatarisht nuk është lexuar
Nga endjet nëpër etni
Një lum dhembjesh ka sjellë
E sa balada
Dhe një det pikëllimi
Për pamundësinë tonë
Në rikthimin e etnisë
A ju kujtohet çfarë tha në fillim
”Miq Kosova është gjaku im që nuk falet”
Tovona sa trimi e sa vasha u nis rrugës së amshimit
Në altarin e lirisë
Emër mbeti
Një pllakë guri e në kujtesë
Për hatër të muzës së tij
Lumenj gjaqesh u derdhën deri tek kjo ditë
Dhe asnjëherë nuk është penduar
Me një krenari të dalldisur
Ka deklamuar përkushtime për ta
Vetëm në takime letrare
Rrugës së tyre ka ecur
Figura të shumta ka rilindur
Për t’ia bërë një enciklopedi
Në kohën kur bukë s’kishim për të ngrënë
Dhe një çati
Shkoi e u fsheh në sytë e Homerit
Për një Iliadë shqiptare
Tërë historinë e përbiroi nëpër rreshta poezish
Dhe opusin popullor
Duke i lënë të tjerët me gishta në gojë
E sa fishkëllima pastaj për punët e pabëra
Për dashuritë e braktisura
Për vashat e plakura
Fund e krye botës i ra
E te Ura e Shenjtë u kthye
Majë nuk la pa prekur
E atdheun s’e shpëtoi nga tkurrja
Vetëm deri te kjo Plisore ende nuk është ngjitur
Për të parë shenjtërinë
Dhe atë kryq paqeje
Që ne si të vegjël e bartëm në qafë
Vetëm atje nuk është ngjitur
Dhe nuk është lutur për mëkatet e bëra dhe të pabëra
Ai sërish vjen
Na buzëqesh dhe rrugën vazhdon
Mbase edhe kjo akuzë
Nuk e kthjellon
Lereni mos prishni vetminë
Le të shkruajë e le të çmendet
Le të mbyllet në muzën e tij
Edhe i’qind vjet
Edhe i’mijë vjet
Sepse dënim më i rëndë nuk i përket
Amin
( Gjilan, 20 shtator 2002 )
P.s
është lexuar në prani të Ali Podrimjes, në “Takimet e Dom Mikelit”, mbajtur në Stubëll, në fund të javës së tretë të shtatorit 2002, më pas kshtë botuar në disa gazeta letrare të atyre viteve , po edhe në librin tim të vitit 2007, i titulluar “Paqja e brishtë” , edituar nga Shtëpia botuese “Rozafa”, Prishtinë.
/www.qendrapress.com/