E diela poetike me poetin :Vullnet Mato
BASHKËJETESA E ARTË
———————————————–
Duke përpirë kilometrat nëpër asfalt,
shoferi i mençur, në udhëtimin e gjatë,
solli radhën e fjalëve, për gratë e mira,
për amvisat nikoqire, nënat e dëlira.
Ai lartësoi, si një zonjë tepër fisnike,
gruan që mori, në shtëpinë publike,
një shoku i tij, komshi nga mëhalla,
dhe theksoi, virtytet e saj të rralla:
Siç mban shtëpinë e rrit fëmijët ajo,
grua më të mirë, burri nuk do.
Po të isha sot, djalë beqar në jetë,
një grua si ajo, do merrja dhe vetë.
Tunda kryet me habi, sa shkunda trutë,
si do bënte shoqe jete, një prostitutë?
Por shoferi me mendim të qytetëruar,
qartësoi mendimin, që kishte filluar:
Pse gruaja e ndarë, quhet e ndershme
dhe e marrin përsëri, për shoqe jete?
Pse makinën e mirë, kushdo e merr,
pa pyetur, kë ka pasur më parë shofer?
Gruaja merret për vete, jo për mblesët,
kur ka gabuar, ia di mirë vlerën martesës,
në dërrasë të kalbur, nuk gjurmon përsëri,
ruan nga rreziqet veten, bashkë me fëmi.
Për t’u ndjerë e korrigjuar, në veten e vet,
bëhet shembull, për marrëdhëniet në jetë,
fshin nga kujtesa vuajtjen e fatit të shkuar,
dashuri të dyfishtë burrit, duke i dhuruar.
S’ka rëndësi për të, opinioni që ka njeriu,
kur shigjetën e busullës, mban tek veriu.
Floriri mbetet me çmimin e vet, të artë,
edhe kur nga rrethanat, ka rënë në baltë!