E diela poetike me poetin:Arben Rashkaj
FLAS ME SHIUN
————————–
Jeta lind dhe ik drejt fundit me rënie të lirë
Siç bien sonte pikat e shumta shiu.
Nuk e di pse doja t’i numëroja
Pse i përfytyroja si mbështjellës të vegjël për jetën.
Gjeografi e lëngshme mbushur me harta
Më flasin butësisht dhe vrullshëm në rënie
Nuk e di pse doja t’u vija emra
Pse më dukej se brenda rrinin fytyra të njohura.
Dorën zgjata për t’i kapur krejt pa dashur
T’i shpëtoja nga përplasja me rrëmbim
Nuk e di pse desha t’i njihja
Pse besoja se bartnin ëndrra.
Kjo materie e tejdukshme tretej mbi lëkurë
Avullonin e linin ca gjurmë
i shikoja si pamje njerëzish
Pse më dukeshin si portrete në pikturë.
Arben Rashkaj