E diela poetike me poetin;Faruk Tasholli
DILNI SHANI MËRGIMTARËT
(Poezi humoristiko-satirike)
Dilni shani mërgimtarët
Si e çoi Konica*) gishtin,
Kur tha vetë për shqiptarët:
-Mos me pasë ta ngjesin bishtin!
E me pasë krejt ta heqin
Ja ta lanë n’gjysë – bishtcubel,
Për inat e kalojnë dreqin
Kush ma i pari n’cak po del!
Dilni shani se iu shkoi jeta
Tuj punu në dhena tjera,
Pse kur kthehen n’shtëpi t’veta
N’udhë të Zotit iu bijnë kah dera!
Dilni shani n’orët ma t’vona
Jep alarm ndoj delirant,
Se po l‘shohen me aviona
N’tokë të vet me ba desant!!!
Dilni mbyllni qebaptoret,
Dro mos trashen? I zen sherri?!
A „bam“ rrugës s’kalojnë orët,
Iu plas goma, iu ndalet kerri!
Dilni shani qitne uthin
Mos e leni me iu nxi ashtit,
Shfrynu bre si dertët fruthin:
„S’po durohen k’ta të jashtit!“
Dilni shani mërgimtarët,
Mos ka mbet naj kush pa sha???
Keq ndër shekeuj vu’jnë shqiptarët
Pse kurrë shamja n’vend s’iu ra!!!
——————————————–
*) Parafrazim nga një ese i Faik Konicës