E diela poetike me poetin;Gëzim Ajgeraj

0

Fjala hyrëse e Gëzim Ajgerajt

Të nderuar pjestarë të familjeve të dëshmorëve, pjestarë të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëmërgimtarë, media të pranishme, kolegë krijues.

Ky manifestim, siç keni pasur rastin të njoftoheni përmes postimeve në rrjetet sociale, organizohet nga: Revista Metafora (e drejtuar nga unë Gëzim Ajgeraj); Shoqata Kulturore Ymer Prizreni (që udhëhiqet nga Bedri Halimi); Shoqata për kulturë e Art “Fidani” që udhëhiqet nga Berat Batiu) dhe Klubi letrar “Luigj Gurakuqi” (që udhëhiqet nga Ibrahim Skenderi).

Organizimi i manifestimeve kulturore, orëve letrare, tribunave etj, kushtuar datave të ndryshme historike, përvjetorëve të ndryshëm, dëshmorëve, heronjëve etj, është bërë në të gjitha fshatrat e Opojës, Vrrinit, në Zhur, pastaj në Malësi të Tetovës, në Kukës e Bicaj, si dhe në Restelicë e Shishtavec të Gorës, në të dy anët e kufirit.

Pra në trevën e Vrrinit janë mbajtur orë letrare në Billushë, Jeshkovë, Poslisht, Lybeqevë e Hoqë e Qytetit.

Meqenëse dihet gjendja krijuar gjatë luftës në fshatrat Leskovec, Lez e Kushnin, që pak a shumë e kanë të njëjtën gjendje e të njëjtin fat, si bashkëorganizatorë të këtij manifestimi kulturor, kemi menduar si ide, që ta mbajmë një orë letrare edhe në Lez, edhe në këto rrethana që janë aktualisht.

Koha e mbajtjes së manifestimit, është përzgjedhur periudha kur shumë mërgimtarë tanë janë kthyer në Kosovë, pra edhe në komunën e Prizrenit. Meqenëse njëri ndër mërgimtarët jam edhe vet, ishte e vështirë për të marrë pjesë në data të ngjarjeve të ndryshme që lidhën me Malsinë e Vrrinit, e pra edhe me Lezin.

Në anën tjetër, vitin e kaluar e deri më tani, pandemia e bëri të veten, duke na pamundësuar mbajtje të takimeve letrare e kulturore në asnjë shkollë, në asnjë datë, në asnjë përvjetor.

Sivjet siç po e shihni, jemi munduar që këtë ide ta bëjmë realitet, brenda mundësive tona, hapsirës në të cilën gjendemi, e kohës në të cilën jetojmë.

Edhe pse e dimë se jemi në prag të zgjedhjeve locale, ne këtë aktivitet e bëjmë pa politikë dhe pa parti. Nuk mendojmë se i bën nderë të rënëve ai që mundohet ta politizoj një aktivitet si ky.

Të rënët janë ata që u përkasin të gjithve dhe nuk i përkasin asnjë partie politike. Prandaj edhe këtë manifestim letrar e kemi emërtuar me një titull simbolik: ORA E ÇLIRIMTARËVE.

Në Lez erdhëm që të shohim praninë e idesë së ekzistencës dhe të rezistencës. Në Lez pra ka të gjallë, e kjo është ideali i të rënëve dhe amaneti i tyre që nuk mund të vdes kurrë.

Prandaj erdhëm tu flasim të rënëve që të marrin vesh të gjallët, se kjo pjesë e Malësisë së Vrrinit nuk bën të behët pjesë e historisë së vendbanimeve të zhdukura e të harruara, si Zinova, Pandolofica etj.

Njerezit e Lezit, Leskovecit e Kushninit, duhet ta dëshmojnë se janë të gjallë, duke i vizituar këto fshatra, pronat e tyre, duke i punuar e investuar për të ndërtuar në to, qoftë për banime të përhershme duke u rikthyer, qoftë shtëpiza, e pushimore turistike. Infrastruktura është e ndërtuar nga institucionet tona, e sigurisht se do të vazhdojë së rindërtuari ku ka nevojë. Prandaj shpresojmë që edhe vullneti i banorëve, për të mos hequr dorë nga vendbanimet e tyre, së bashku me dëshirën dhe përpjekjet për kthim nuk do të mungojnë.

Këtu në Lez, po shohim se dikush ka filluar ta punoj një pjesë të tokës së vet, dikush ka ndërtuar e po ndërton shtëpi në pronën e vet. Janë këto shenja që dëshmojnë se Malësia e Vrrinit, pra edhe Lezi, Kushnini e Leskoveci kanë njerëz të gjallë. E të gjallët janë ata që u dalin zot të rënëve.

Uroj që të gjithë mërgimtarëve si dhe banorëve të Malësisë së Vrrinit, të kenë shëndet, dhe suksese në jetë.

Lez, 24 korrik, 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *