E diela poetike me poetin;Ismail GashiNëse s’të besohet

——————————–

Unë që po të shkruaj të njoh

jam i një datëlindjeje me diellin

që të ngrohë

nëse s’të kujtohem

ta kujtoj unë moshatar me zjarrin

i parëlinduri i hënës nga era

nëse s’të besohet

gëzohem

që nuk je mbushur mend

mua më mban gjallë hidhërimi yt i mjeruar

pse nuk e ruan qetësinë po më bën nder

ti e di mirë atë çfarë dua

të falënderoj

që shikon ëndrrat e mia me engjuj çdo natë

dhe nuk ndihesh fajtor

më vije keq për shijen e hidhur

që të lë gjithmonë gjuha ime e ëmbël

nëse s’të besohet…

si të dëshpërohem për ty

që të iku zogu nga dora

kur ta shoh mendjen e çakorduar

nuk të kuptoj vërtet

përse të vuajnë indet shpirtërore

ku ikja ta dha mëshirën

po të vete mendja tek “betejat e humbura

dhe jo luftën”…

harroi ato

të kanë humbur të dyja….

hanxhiu që të ushqeu okët e grurit me thasë

dëgjova që të vdiq

pushoftë në paqe me pendesën!

nëse s’të besohet

prapë ta shkruaj letrën

ar(miku) që e don të mirën.

Ismail Gashi.