E diela poetike me poetin;Milazim Krasniqi

KTHIMI I FEHMI AGANIT*

————————————–

Kur e kthyen trenin, e mora me mend

Që po e luanin lojën me djallëzi,

Pa më kërkuar nuk kishin lënë vend

Tash po më prisnin në pusi.

Treni plot robër po kthehej

Mbrapshtë nga pika e fundit e kufirit,

Më dukej që udha po bymehej

Dhe po nxinte sterrë si kancer i gjirit.

Por as rruga as treni nuk kishin faje

Për vuajtjen tonë tejmitike,

Ruga e treni barttnin dënesa e vaje

Si të dala nga skenat e tragjedive antike.

Xhelatët rrugë e trena kishin zaptuar

Edhe kohën donin ta kthenin mbrapshtë,

Tek dita kur Djeprin e kishin kaluar

Me sytë nga urrejtja si të dalë jashtë.

E kam ndjerë këtë urrejtje tërë jetën,

Më ndiqte si hije e nuk më shqitej,

Por kurrë s’mundi të ma fshehte të vërtetën

As të më spërkaste e as të më ngjitej.

Por ja që ky çast i saj tash po vjen

Ballë për ballë jam me vrasësit e mi,

Ata e kanë në mendje kohën që nuk kthen

Ndërsa unë veç ëndrrën për liri.

Fusha e Kosovës shtrihet e paanë

Një zë më thotë nga brenda, nisu, fluturo!

Dëgjoj të shtëna, nuk di se ku jam

Por e di mirë që i vdekur jo!

Më kthyen që të më vrisnin, të marrët

Në zemrën e atdheut tim të shtrenjtë,

Por, vetëm sa më ngriten me fitimtarët

Në fronin e Kosovës sime të shenjtë. **

12 janar 2016