E diela poetike me poetin;Rifat Ismaili
DITËT QË S’ JETOJMË BASHKË
———————————————–
Miqve u shkruaj në mesnatë…
Në këtë orë jam me engjëjt.
Muaj të tërë harrimi i fshiva
S’dua t’ia shtoj mundimet vetes.
Në botë kanë vrarë dashurinë
Me thikën e ndryshkur të injorancës.
Ndërsa veprat që doja idealisht
I kam mbyllur me çelës.
Mallkuar errësira e kësaj nate
Që ndan në copa zemrën time!
A mund të jem sa duhet i nevojshëm
Për njerëzit dhe ç’ka mbetet nga ditët?
Udhëtoj me patat e heshtura të vjeshtës
Që ngjajnë me heronj të rrjepur…
Përkëdhel qenin që më vjen pas
Kamarieri im i vetëm.
Restauroj muret e portretet,
Të vetmet viktima të miat.
Miqtë e mi në rafte kujtese kane mbetur
Si libra që mbajnë erë vjetërsie.
Mallkuar vetmia e kësaj nate!
Në heshtje u vë emra kukullave…
Kam bërë mik dhe hundë Pinokun
Në pyll shëtita me shtatë xhuxhët.
Me palaçot mbretërorë u deha
Dhe gjer vonë me ta kam kënduar…
Mallkuar ti, moj natë e pashpirt
Ti vetmi, qofsh përherë e mallkuar!