E diela poetike me poetin;Sabit Rrushtemi

0

LISAT E NAIMIT

———————–

Andërr e kisha Shqipërinë

lisat e gjatë qindvjeçarë

që m’i mbushnin mushkëritë me ajr

nga vargjet e një poeme

që e lexoja në këmbë

lëndinave të vendlindjes sime

derisa po i ruaja delet

pasditeve kur kthehesha prej shkolle

Prisja t’i shihja një ditë

kur do të rrafshoheshin Bjeshktë e Nemta

që na rrinin në mes e rriteshin përditë

si ai muri i lashtë kinez

Tridhjete tri vite zgjati pritja ime

kur ua kheva shpinën maleve që s’kaloheshin

dhe u nisa drejtë Qafë-Thanës

për t’ia fshirë lotët e vetmisë

të moçmes Nanë

Sapo shkela përtej Drinit të Zi

atij emri të ndaluar që quhej Shqipëri

një ngjyrë e vruktë m’i mbuloi sytë

dhe bunkerë të përhirtë

Malet ishin zhveshur

lisat veç në vargjet e asaj poeme

lëshonin rrënjë e rriteshin për ëndrrat tona

e për ato mushkëri që s’mbusheshin frymë

pa Ty

Dhe një qershi asaj vere

mbetur e vetme te ajo vijë ndarëse

ra përtokë nga duart e prerësve

duke u flijuar për udhën e re

Një lexuese e pasionuar jotja si unë

një ditë më pas duke zbritur përgjatë Lanës

ma shnoshi kryet si n’shaka

Naimi ynë i madh

nxitur prej asaj dashurie që s’shterr kurrë

krejt çka i mungonte e i duhej kësaj Shqipërie

vargjeve që nuk thinjen kohëve

si amanete të përhershme na i la

( 17 korrik 2021 )

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *