E diela poetike me poetin:Sabit Rrustemi
DOKUMENTI I GRISUR
(Ramë Bllacës, për shkak se nuk vuri gisht në Dokumentin e Marrëveshjes jugosllavo – turke të vitit 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi )
1
Mblidheshin burrat. Pasdarkave bënin kuvend;
– Na u shtua zullumi, këtu s’na mbeti vend!
Të mesërmen hapeshin fjalët:
– Shkoi filani e filani…
Të tjerët bënin gati letrat
Rraçkat
Plaçkat .
Ndërsa një Burrë
Natë e ditë nuk e fikte cigaren,
Një sy gjumë s’e bënte.
Duhej shkuar tek ai Pallat i përhirtë,
Fatin e një populli mbante në Gisht…
2.
Hyri brenda Qetësia e Furtunshme
Pa mirë se na erdhe,
Pa mirë se na gjete!
Nuk kish kohë për muhabete. Temenara…
– Zoti ministër nga na polli kjo vaki?
Vrau atë heshtje. Monotoni.
– Ulu njëherë mixho, ta dredhim nga një!
Burri ishte mësuar se si dridhte tash Ai.
– S’është koha për ndejë, zotëri,
Një popull në rrugë prêt…
Nga kolltuku u ngrit ministri
Me fyryrën verdh e zemrën zi
Marrëveshjen Sekrete ia ofroi,
Tamam si ministër e urdhëroi:
– Vër Gisht mbi këtë Dokument!
3.
Drodhi kokën Burri
Para syve i dolën varret e gjyshërve. Stërgjyshërve.
Eshtrat që u ndezën, që u shkrinë në një fjali:
Qëndroni! Mbi varret e tyre akoma bari s’ka mbi…
Iu turbullua gjaku. Iu nxeh sa s’ka.
Pallati u shemb. Sipri i ra. Ai s’duroi më:
– Shkrim – leximin unë s’e di
Veç djallëzinë tënde shoh në sy,
Plumbin e koburës këtu vë
Pa gjithçka të shuhet deri në hi!…
4.
Grisi Dokumentin. U nis për në Shtëpi.
Këngëtarët akordonin çftelitë
Për ta pavdekësuar atë trimëri
Tinzarët zinin pritat. Rrugët.
Me njërën dorë mbushnin xhepat
Me tjetrën armët.
Populli priste Burrin
Ai vinte i ndjekur nga plumbat
Për ta thënë atë që tash e dinte dhe një fëmijë:
– Bëra atë që duhej ta bëja
Shtëpive tona, një Popull ktheva.
__________________
( Poezi e blerë në konkursin letrar të revistës “Jeta e Re”, 1980 dhe e botuar dhjetë vite më pas, në shtator 1990, në revistën për kulturë, “Fjala”, Prishtinë. E rigjetur te shkrimtari, Nexhat Rexha, të cilin e falënderoj tej mase … )