E diela poetike me poten:Zaide Noka
Miqësi e kahershme
—————————————
Kanatat e dritareve
Binden prej detyrës së përditshme
Rrëmbimthi hapen
Si për të shmangur ndarjen gjatë natës
Me Malin e Gjalicës hirëplotë.
Sytë qetohen
Në fytyrën qumështore
Në gjirin gjelbëror
Në gërshetat gushëpëllumbi
Ndoshta dhe në vetë pamjen hyjnore të mëngjesit.
Gjuha e heshtur me të është vetëm gjuha ime
Një gjuhë krejt e tjetërllojtë nga të tjerat.
Krenari të paqtë
Vazhdojmë t’i imponojmë njëra-tjetrës
Gjalica prej madhështisë së malit
Unë prej emrit njeri.
Prej miqësisë së kahershme
Detyrohem t’i vesh cilësitë e mia
Tashmë ajo frymon
Tashmë ajo hareshëm gëzon e qesh
Ndoshta ndonjëherë si për të më kujtuar
Të mos e lë në heshtje e në vetminë e përjetshme
Se loti i derdhur në faqe ngrin prej ftohtësisë
Ai lot i derdhur rrëmujshëm
Ndoshta ngrin e bëhet ortek…
zn(Mall i padukshëm)