E diela poetike me shkrimtarin:Milazim Krasniqi
ÇAST I MREKULLISË
——————————-
Në këtë çast, deri sa rri në dritare
duke pritur ezanin,
fryn një erë e lehtë dhe disi lotuese
e bien pika të imëta shiu
që ujisin gjithandej barin e gjethet e pemëve
të cilat sikur zgjohen nga kllapia
E ia marrin një valleje të lehtë.
Disa njerëz po nguten
që të mos lagen më shumë
ndërsa retë lart lëvizin të disponuara
që po e gjallërojnë me infuzion
tokën që lëngonte nga thatësia.
Një grumbull sorrash fluturojnë të shqetësuara
mbi kulmin e çerdhes në Ulpianë
dhe në çast dëgjohet ezani
duke ftuar në falje e në shpëtim
deri sa kemi kohë.
Dhe të gjitha këto ndodhin në një çast
po secila për vete
secila si pjesë e tjetrës
dhe të gjitha së bashku si pjesë e mrekullisë,
jo si huqe të motit,
po si shenja të mirësisë së Zotit.