E diela poetike me shtatë poete;Taena Mata

VLORA ime magjike…

————————————————-

Shpesh shoh pamje nga ty Vlora ime

Dhe ndjej brenda meje diçka si ngazëllim,

Që të desha kaq shumë kurrë nuk e dija,

Kurrë se mendoja, që zemra për ty, të digjej përvëlim.

Herë më dukesh se je Nëna ime e shtrenjtë

Dhe marr prej teje… ohh sa shumë dashuri!

Herë më dukesh, sikur je fëmija im i vogël

Dhe të fal së largu, mijëra sy-përkëdheljesh plot ëmbëlsi,

Ç’më lidh me ty kaq pazgjidhshmërisht..?

Ç’është kjo dashuri e zjarrtë që brenda shpirtit vlon?

Ndoshta poezitë e Rilindsave qysh se isha fëmijë,

Apo pse ti je më e bukura, e adhuruara ime, Vlorë!?

Apo ndoshta janë njerëzit, që ti i rrit me dashuri,

Njerëzit e tu të mirë e me zemër fisnike,

Ata që për ty e gjithë Shqipërinë bëhen fli

Moj Vlorë e shenjtë, e shtrenjtë, Vlora ime magjike…!

TaEna

16.06.22