E hëna poetike me poeten;-Merita PAPARISTO
EKSKLUZIVE
——————————–
Pak verë mjafton që të më zhbëjë…
Kemi shtruar tavolinën në ballkon
dhe ti më qëndron në atë cep,
ku vetëm me bisht të syrit mund të të shoh.
Krahët si gjithmonë janë të pafuqishëm
dhe meqë nuk mundem të fluturoj
mbështes gjithë trupin në përqafim.
Ti më sheh me një buzëqeshje të kursyer nën buzë
ndërsa përpiqem të mos të të zhgënjej.
Majat e gishtërinjve mpihen dhe marrin udhë…
por më mirë kështu…
nuk do lë shenja gishtash , nëse bëj ndonjë “krim”.
Në trurin tim bëhen bashkë imazhe të së shkuarës dhe të tashmes…
E di? Në vargje të poezive e gjejnë veten shume njerëz
por po ta them vetëm ty që këto janë vargje ekskluzive!
Mesditë,
dielli luan me retë një lojë pafajësish të rrezikshme
dhe unë qesh me të madhe.
Të gjithë e dinë tashmë që kam dalë jashtë trupit
dhe shpirt zhveshur më duan edhe më shumë.
Përqafoj duke ngjeshur gjoksin pas gjoksit
dhe vazhdoj të qeshurën.
Pastaj dua të kërcej, por hiqem si esëll
veç tundem në karrige majtas djathtas
sipas ritmit të muzikës dhe këndoj me zë të ulët.
Në mëndje më shkon që duhet të fle dhe të pi shume ujë….
dëshiroj gjithashtu të shkruaj këtë poezi për ty
por para se ta bej, zgjedh një këmishe nate
nga më të preferuarat
(atë që vesh gjithmonë për një fat të mbarë….)
dhe përpiqem të shkoj në shtrat për të qetësuara rropullitë e revoltuara
që gjithmonë në të tilla raste
janë në opozitë ekstreme me trurin
që hedh valle dhe qesh si i marrë.
Vargjet më sulmojnë të çmendura sapo vë kryet në jastëk
dhe unë detyrohem të ngrihem, ti përzë nga truri në ekran…
Tani jemi dy… unë dhe poezia ime e hallakatur …
që qëndrojmë para teje me këmishë nate
dhe të tundojmë…
të pëlqen?
Fjalë boshe!
Çfarë the? Mos i shkruajnë ata të tjerët më mirë vallë?
Patetizëm që më bën për të vjellë… me “ah”… dhe me “oh sikur… e dashur”!
Çfarë më bën për të vjellë?
patetizmi apo vera…
një Zot e di!
Në ëndërr më del si gjithmonë….
Çfarë më del në ëndërr?
-Mbylle këtë djall kompjuter dhe shtrihu e fli më parë
që të marrësh vesh çfarë të del në ëndërr
alkooli, kjo marrëzi e këndshme
që brutalisht dhe ëmbël më sundon pa më marrë leje
dhe unë sa më shumë që vjetrohem …
aq më shumë jam edhe djathë edhe verë!
/ëëë.qendrapress.com/