E hëna poetike me poeten;Mercedes GEGA

Nuk të them: “Të dua!”

—————————————–

Unë që vetëm “Të dua ” nuk të them

E që veshur mbaj vetëm buzëqeshje Maji

Unë flas sysh e prekjesh një mijë e një fjalë

Të lutem i dashur, mos më bëj me faj!

Sa herë të pyes gjithë dhimbje dashurie:

“A je mirë?”, “Ke ngrënë?”, “U lodhe?”, “Kur do vish?”,

Kur lotët shtrydh pas syve që ndrijnë

Sërish them: “Të dua” sot e pafundësisht!

 &  &  &

Dëgjoje shiun…

———————–

Ai është bekim!

Çlirim…

Jetë…

Pas një agonie

Të gjatë…

Kur të gjithë të mirat

Të mblidhen grusht në pafuqinë e fjalës

E si shi

Të derdhen strehëzave të petaleve

Të syve të mi,

I dashur,

Dil prej vetes,

Afrohu meje

Dhe ndieje aromën e tokës së lagur

Që vesh për lëkurë…

Do të kuptosh se fjalët kanë kufij

Të përmbledhin

Të pakufishmen

Që rrjedh tek unë…

/www.qendrapress.com/