E majta dhe e djathta: nga ideologji çlirimtare në keqkuptime modern/Shkruan Ruzhdi GASHI avokat

Disa sot mendojnë se janë të djathtë vetëm pse hanë pasul me dorën e djathtë, e disa të tjerë mendojnë se janë të majtë vetëm pse zgjohen në mëngjes në krahun e majtë. Ky banalizim i nocioneve politike tregon se konceptet e së majtës dhe së djathtës jo vetëm që janë keqkuptuar, por edhe janë konsumuar nga koha.
Historikisht, ndarja majtas–djathtas ka pasur kuptim.
E majta, në fillesat e saj, lindi si ideologji progresive, që mbronte punëtorin, barazinë sociale, drejtësinë dhe luftën kundër padrejtësive të aristokracisë dhe kapitalit të egër. Ajo ishte zëri i shtresave të shtypura dhe shpesh bartëse e ideve çlirimtare.
E djathta, në anën tjetër, përfaqësonte rendin, pronën, traditën, kombin dhe stabilitetin institucional. Ajo synonte ruajtjen e vlerave shoqërore, të familjes dhe të shtetit, duke besuar se ndryshimet duhet të jenë graduale dhe jo revolucionare.
Por kjo ndarje klasike sot nuk ekziston më në formën e saj të pastër.
Në realitetin modern, sidomos në Evropë dhe më gjerë, e majta gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një formë të re autoritarizmi, e cila në emër të barazisë po kufizon lirinë e mendimit, po imponon ideologji dhe po përdor shtetin si mjet kontrolli. Në shumë raste, ajo që quhet “progres” po rezulton në censurë, diktat dhe uniformizim shoqëror – pra, elemente tipike të diktaturës, vetëm me emra modernë.
Ndërkohë, e djathta po reduktohet në një konservatorizëm dogmatik, ku e kaluara mbrohet me çdo kusht, jo si trashëgimi që duhet zhvilluar, por si relike e paprekshme. Në vend të reflektimit kritik, ajo shpesh ngurtësohet në mbrojtje të verbër të traditës, duke e shpallur çdo ndryshim si rrezik për vlerat njerëzore.
Kështu, të dyja – edhe e majta, edhe e djathta – kanë devijuar nga roli i tyre historik.
Në këtë kontekst, Kosova përbën një rast të veçantë.
Kosova nuk u çlirua dhe nuk u pavarësua as nga e majta dhe as nga e djathta, por nga forcat patriotike çlirimtare, të mishëruara në UÇK-në, me Hashim Thaçin në krye, dhe me ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çlirimi dhe pavarësia nuk ishin projekt ideologjik, por projekt kombëtar dhe ekzistencial.
Prandaj, insistimi sot që politika kosovare të mbërthehet pas ndarjeve të vjetra majtas–djathtas është jo vetëm i gabuar, por edhe i dëmshëm.
Kosova ka nevojë për forma moderne të qeverisjes, ku programi i partive politike nuk ndërtohet mbi etiketa ideologjike të konsumuara, por mbi interesa konkrete:
• forcimin e Republikës së Kosovës,
• mirëqenien e popullit të saj,
• dhe ruajtjen e aleancave strategjike me miqtë që e bënë të mundur lirinë dhe pavarësinë, në krye me SHBA-në.
Në fund, politika nuk duhet të jetë as majtas e as djathtas, por drejt Kosovës.
Kjo është rruga e vetme racionale, patriotike dhe e qëndrueshme për të ardhmen.
Me 4 dhjetor 2026
K o s o v ë
/QendraPress/