E marta poetike me poeten: Behare Daja KASA
Është dimër…
———————-
…dhe zogjtë që kanë ngelur, kanë ikur të flenë.
era e thatë u shpupuritet mes puplash,
e aspak nuk i lë të qetë.
është dimër
dhe fjala skutave të shpirtit është strukur.
druhet të ecë lirshëm mes gjuhës,
ka frikë se fryma i merret e zë edhe shuhet.
është dimër
dhe muret e ftohta po dridhen në heshtje.
cegma e egër u mbështillet rreth krahëve,
e më tepër ua shton zjarrminë dhe ethet.
& & &
Mos më quaj të çmendur
——————————-
Mos më quaj të çmendur,
Pse bredh natën nëpër gjumë,
Nëpër pyjet me dëborë,
E me lisa degëshumë.
Mos më quaj të çmendur,
Pse kaq shumë dua lirinë,
Pse dhe grimcat e shpirtit tim,
Ia vesh reve fluturim.
Mos më quaj të çmendur,
Pse borxh zogjve u marr krahët,
E në gjirin tënd përplasem,
Që të strukem nga tallazet.
Mos më quaj të çmendur,
Pse vë vargjet buzë më buzë,
E me buzët e çdo vargu,
Shpirtin në çdo grimcë’ ta puth.
Mos më quaj pra të çmendur,
Sepse shpirtit të jam ngjitur,
Nëse më thërret në emër,
Katër pjesësh të përgjigjem.