E marta poetike me poeten:Dhurata Haxhiu KASA 

Sërish!

 —————————

Mjegull, shi, erë dhe dashuri,

sërish kthime, largime dhe përsëri takime,

monotonia që bën shekullin,

të jetuarit që bëjnë minutën.

Shkenca nxiton të ecë para kohës,

dhe në mbrëmje joga ulet këmbëkryq me fatin,

parathotë legjendën e Noes,

guri blatohet me whisky,

të gjithë puthen,

dhe duan të vdesin nën të.

Fotografim i vështirë “Puthja” në Vjenë,

një femër që ngre fytyrën si një Kleopatër që epshon gjarprin e pjellë dhe rritur me shumë kujdes,

dhe ai një burrë që lart qëndron si aksiomë mbi prenë e vet.

Sërish puthja dyshuese dhe dilematike,

sërish shi, mjegull erë dhe dashuri.

Vitrinat dhe manekinët ndryshojnë stil,

sy që vështrojnë ato dhe hapat e vet,

sërish Mikelanxhelo i ulëret Davidit:

-fol, fol të gjitha t’i dhashë, çfarë do më?

Dhe çekiçi godet kohërat,

mbase një puthje për absoluten.

Diell, kthjelltësi por ftohtë,

sërish plaset toka në dimër,

nga ngrica kur dielli shkëlqen rrejshëm mbi ujët nën akullin tokësor,

shket stilografi mbi pergmenë njerëzorë,

si këmbët e një balerinë mbi akull shpirti,

puthja kuadraton pamjen,

deri sa monotonia pelerinën e vjetër të Helenës së brishtë e gropos si fajin e vetëm,

tashmë shekulli vdiq vetë për një puthje përtej numërimi mekanik të vetes.

Nuk ka gjë më të thjeshtë se një puthje e thjeshtë,

aliteracion i shurdhët i shekullit.

Njerëzit kanë filluar të numërojnë veç minutat,

ato janë shekuj puthjesh.

Sërish ka shi, mjegull dhe dashuri!

/www.qendrapress.com/

——————————————-