E mërkura poetike me poeten: Ajete POVATA

DERVISH SHAQA – ZANI QË S’U SHUA KURRË

——————————————–

Në tokën ku era flet me lisat,

e ku hapat e të parëve rrokin gurë e terr,

lindi një zë si shpatë drite,

zani i Dervish Shaqës —

si gjamë mali, si mall shekullor që kërkon me u kthy n’prehen të vet.

Ai s’ishte veç rapsod,

ishte udhë e gurë,

ishte plagë që këndonte,

ishte zë që s’u trembej as stuhive të historisë,

as vargut të zi të kohëve të rënda.

Në duert e tij, sharki e qifteli

bëheshin zogj që fluturonin mbi kufij,

bëheshin kroje ku pasqyrohej vetë Kosova,

si një nënë që pret birin e larguar

me sofrën bosh e zemrën plot.

Por erdhi viti i zi,

ai vit kur terri zbriti mbi prag,

kur hije të huaja rënduan si mort mbi shqiptarë;

atëherë Dervishi,

si trim i heshtur,

mori udhën pa kthim,

duke e lënë atdheun prapa

si diell të mbyllur n’gji.

Kosovës ia ktheu shpinën veç fizikisht —

se n’zemër e mori përgjithmonë,

si gur të shenjtë, si plagë të shtrenjtë,

si amanet që nuk shuhet.

Në Shqipëri e priti fati me heshtje të thellë,

me mure të ftohta e bukë t’pakët,

por as varfëria, as malli,

 as ndarja prej fëmijëve

s’e thyen zanin e tij.

Ai vazhdoi të këndonte

si me ndez diellin në mes të natës.

Në një varg i mblodhi të gjitha stuhitë:

“Kur Kosovë ta ktheva shpinen…

e lash borë, e gjeta dimen.”

Në atë varg rrinë të gjitha krisjet e shpirtit të tij,

rrinë borërat e mërgimit,

rrinë plagët e kombit,

rrinë stinët që s’u kthyem kurrë.

Vdiq pa i pa fëmijët,

por i pa shekujt;

vdiq larg,

por kanga e tij u kthye në prag të

çdo shtëpie që mban kujtesë.

E sot, kur përmendet rapsodi,

ngrihet ai emën si mal n’retë:

Dervish Shaqa — ai që këndoi dhimbjen e kombit

e ia ktheu nderin me zë.

/QendraPress/