E mërkura poetike me poeten;-Anila TOTO

NJË SHTET I VOGËL NĒ KOKĒN TIME

Një shtet të vogël

në kokën time,

arenë luftërash për lumturi.

Për lirinë e fjalës

për çështje sublime,

dashuri pa kushte,

ose më mirë vetmi.

Një shtet i vogël në shpirtit tim,

banojmë e duhemi si gjithë bota

vetëm se më duket sikur kemi sozi’

e nis më dhemb koka.

Një shtet i madh në sytë e tu.

Ndonjëherë…

ndiej të rriten flutura

nisën prej teje, drejt meje vijnë

krahëngjyra,

të bukura.

Një shtet i vogël në sytë e mi

Kaq shumë banorë brenda kësaj teme,

unë fle aty…

në sytê e tu

me ligje e nene.

*****

NË FUND…

Në fund kthehen të gjithë në shtëpi

plangprishësit dhe të mirët.

Shtëpia mbushet plot dashuri

të pastër e të dlirët.

Në fund kthehen të gjithë në shtëpi

të pasur apo të varfër.

Shtëpia të pret me një mirësi

që askund nuk e ke patur.

Në fund kthehen të gjithë në shtëpi

në të mirë e në të keq.

Një zë i heshtur që vjen deri tek ty

të thërret, të thërret, thërret…

Më fund kthehen të gjithë në shtëpi

Qoftë edhe kthim i hidhur!

Të pret një mal me dashuri

nga çasti që ke lindur.

****

/www.qendrapress.com/