E mërkura poetike me poeten: Brikena Ceraja BEKA
Porta ishte ngrirë nga acari
——————————————–
Nanë, mbrëmë as në ëndërr nuk të pashë
E ulur te shkalla e shtëpisë së vjetër
Aty ku me buzëqeshje e plot dashuri
Çdoherë na prisje kur ktheheshim nga shkolla.
Vrapova ta hap portën e shtëpisë
Por shkalla ku na prisje mbante akull përmbi.
Doja të ta shoh buzëqeshjen
E ta dëgjoj zërin e ëmbël
Që vetëm dashuri lëshonte
Por porta ish ngrirë nga acari.
E kujtoja ditën kur ike
Të pashë kur qetë e ndërrove dhomën
Dhe të mbuluam me lule.
Nanë, sot nuk gjeta as lule,
Vrapova t’i këpus 19 karafila,
Për ta kujtuar pushimin tënd.
As lulet nuk i gjeta, nanë
Ishin mbyllë të gjitha portat nga acari
Në shkallën e shtëpisë së vjetër pashë vetëm diellin
Që m’i hapi qepallat me lot.
/www.QendraPress.com/