E mërkura poetike me poeten;- Eva KACANJA
In res media…
(Në mes të gjërave)
Në këtë grotesk distik,
Kur truri hapet
nga fluks i mendimit,
Dhe në kthjelltësi perfektë,
arrij të shquaj
shqiponjën,
që i sulet presë,
Por dhe gjarprin
që zvarritet folesë.
Kur gjymtyrët,
nuk emërtohen më,
“E Djathta
dhe Majta”,
Por “Humbja
dhe Fitorja”,
Kur ylbere narcisë,
Në dymbëdhjetë ngjyra larushe,
mashtrojnë vizionin tim,
Dhe imja retinë fikson pa mëshirë,
hyrjet dhe daljet
në kuzhinën e Faustit,
Dëshirë dhe Dritë,
Errësirë dhe Frikë,
Në uri të ethshme,
Lodhur prej stuhish,
Plotem në rini…
Për t’u thyer sërish,
Si një kupë e shenjtë,
Plasur prej magjish…
Në dilemë distike,
Qenësisht dhe mosqenësish,
Veten e gjej,
ulur këmbëkryq,
Si një Budë e vogël,
Derdhur jashtë serie,
Në kalavar pikëpyetjesh,
Gruaje dhe fëmije:
-Unë ku jam?!
Në Bardhë
a në Zi?!
E në arrij të
zbuloj
Vërtetë,
Ku jam Unë,
Atëherë padyshim,
Zbulova,
Ku je Ti!
/www.qendrapress.com/