E mërkura poetike me poeten:-Farie BISHA

Më ka marrë shumë malli…

———————————-

por kjo s’do të thotë se të merr edhe ty.

Kafshatë që s’kapërcehet është malli im.

E mbaj fort me vete

dhe nuk di kujt t’ia besoj…

Më ka marrë shumë edhe mua.

Ndërsa të dëgjoj, më lind shumë fantazi…

A jemi vallë aq të sinkronizuar? –

ajo e ngacmoi.

Më shumë se aq.

Malli im është art.

Art që digjet për t’u krijuar.

Ai imagjinonte dashuri e art

në netët gjysmë të ndriçuara.

Ajo më shumë dashuri me art,

nën dritën e hënës që pasqyrohej

si argjendi në ujin e lëmuar.

Dhe çfarë do të bëje me të?

– kurioze e pyeti,

që fjalëve të tij një formë të qartë t’u jepte…

Do ta haja me gjithë shpirt mallin tënd,

si frutin e ndaluar të një kopshti të humbur.

Të ngopesha me ty,

deri në agimin e papërcaktuar…

Farie Bisha Luzern 9.12.25

/QendraPress/