E mërkura poetike me poeten-  Lola SHEHI

DËSHIRË E ÇMENDUR

——————————————-

Kur mëngjeseve jam në shtëpi
Ushqimi i shpirtit tim, është zgjimi yt
Të përkëdhel në shtrat çdo milimetër të trupit tënd
Të dehem me aromën e flokëve, e të puth sytë

Pastaj, të vrapoj në guzhinë me një ninullë në buzë
Duke kënduar, të trazoj në filxhanin tënd neskafenë
Të të shijojë nazet, kur buzëvarur më thua
Po ç`ke që më ngjitesh kështu! Më lër se s`ta kam ngenë!

E unë që vazhdoj të ngacmoj e të bëhem rrodhe
Të bezdis me pyetje pafund, e bëhem tamam si e marrë
Të lexoj se ç`thua, kur shikimin drejton nga makina
Aman si bën dhe ti, sikur jam në klasë të parë

E di, u rrite! Nuk e ndaloj dot kohën
Më shpon me ata sy të mëdhenj e vetullat e zeza hark
Në çast, ndjej një dëshirë paksa të çmendur në dukje
Të bëheshe sërish e vogël, e sërish të të fusja në bark.

/www.qendrapress.com/