E mërkura poetike me poeten-Rovena SHUTERIQI
Do ulem këmbëkryq me burrat e besës
————————————————————-
E nëse fati do më degdisi larg e më larg,
s’do dua, jo, t’harroj vendin, ku kam lerë.
Me kujtimet për të, ëndrrat do stivos,
do puth një nga një çdo detaj, që ëmbël më flet.
Vjedhurazi do vizitoj odat nga çdo anë
Do rrëmbej zakonet që zonat na ofrojnë
Me to do mitizoj çdo legjendë të pashkruar ende,
do nderoj emrin e të paharruarve heronj.
Do vrapoj lëndinave dhe bjeshkëve të larta.
Do kërkoj kroin me ujin më të kulluar.
Një tingull fyelli do më fluturojë ndër male,
atje ku shqiponja, ndërton folenë qëndrestare.
Do ulem këmbëkryq me burrat e besës
Do ndez një cigare në kujtim të të rënëve
Do u jap fjalën, se kullave, do jem si çiftelia,
që rri varur, në pritje të këngës legjendare.
Me gratë trimëresha që sfiduan çdo kanun,
do ngjesh plisin e bardhë si bora,
me fustanellat që flladi lehtë na përkund,
do përcjellim erën e dashurisë, nëpër oda.
Do ç’ngujojmë të rinjtë, të venitur nga mungesa e diellit.
Do u terim lotët, që shpirtin u kanë mbytur.
Hapat e parë drejt dritës së ditës,
do i bëjmë pa armën mbi supin e rënduar.
E lodra do ofshëtijë prej haresë,
djemurinë do ftojë të marrë vallen e shqipeve,
Falja e gjakut nuk është kaq e lehtë,
sepse nënat që vuajnë, e dinë, se hasmëria vret.
//www.qendrapress.com/