E mërkura poetike me poeten;-Shpresa Fundo GJERGJI

INTENSITET

—————————

Qielli më gri se dje…

Deti ka përhumbur ngjyrën blu.

Horizonti i padukshëm përmbytur,

ashtu dhe mendimet pa kuptuar,

këmbët vazhdojnë “kuturu”…

Largohem dhe zemrën e mbaj në dorë,

Një forcë e çuditshme më flet…

Dikur në një monolog të gjorë,

sot mes një bote shpirtrash të pa qetë!

Mos vallë përplasen atje tej

rryma të çuditshme të sistemit diellor,

dhe ne po ashtu si ruaza eliptike në çdo skaj,

s’guxojmë të afrohemi nga frika se mund të na djegë,

kjo jetë në intensitetin e saj?!

Ja atje qielli u ça nga retë…

Të shpresojmë që deti të bëhet sërish blu.

Horizonti paksa po shfaqet i vërtetë,

por mendimet më ndërthuren, këmbët s’më binden,

vazhdojnë “kuturu”…!

/www.qendrapress.com/