E mërkura poetike me poeten: Teuta Biçaku

PËRTEJ ËNDRRËS.

————————————–

E kush tha që nuk jetohet përtej ëndrrës?!

Mes engjëjsh dritorë që të mbajnë në krahë.

Larg kësaj bote që trumbeton harmoni,

e bëhet shkrumb pa më të voglin shkak.

Kush tha që nuk jetohet përtej kësaj ëndrre?!

Ku promovohet paqja, dashuria, mendimi i lirë,

por toka trandet nga gjëmime raketash,

e loti njomëzak, mbi koka të nxehta, avullon pa rënë mirë.

E kush tha që nuk jetohet përtej ëndrrës?!

Përtej kësaj ëndrre që plumbat e trembën,

me shpirtin fluturim përmes reve që u zijosën,

se tymi mes tyre u mundua të tretet.

Po iki të jetoj përtej kësaj ëndrre të trembur.

Përtej kësaj ëndrre me lotin pa fshirë.

Përtej kësaj ëndrre barkmadhe shpresash,

t’i them botës mjerane “Lufto(jo me armë) për ëndrrën e mirë!”

Nga lart të kthej lotët në diamante shprese.

Të godas me forcë kokat e nxehta.

E raketat t’i kthej në shigjeta kupidi,

se dua që tek ëndrra të gëlojë shpresa.

Teuta Biçaku 01.03. 2022

/www.qendrapress.com/