E mërkura poetike me poeten;-Teuta BIÇAKU

Aty

————————–

Ku misteri i ujshëm të mbështjell me vello blu.

Ku vala të përkund, përqafon a sfidon.

Ku era të përkëdhel lehtas e të sjell aromë të kripur.

Ku mall fëmijërie ndjen e shpirtin qetëson.

Aty

Ku ndihesh si ashkël a varkë me vela mbi ujë.

Ku thellësia të tremb a të tundon.

Ku mbledh guaska fëmijërie e pllaquritje.

Ku fëmija brenda teje me të rriturin lufton.

Aty

Ku rrezja e shikimit përthyhet në mijëra nuanca të blusë.

Ku horizonti bashkë me dallgën shkumëzon.

Ku mendimet treten e regjen në kripësi.

Ku ëndrra në shishe qelqi pa drejtim noton.

Aty

Ku loti me valën bëhen njësh.

Ku buzëqeshja me pulëbardhat fluturon.

Ku tufa peshqish marrin qenien dhe e shpien larg.

Ku reja diellin mbi lëngun amniotik takon.

Aty

Ku afshi i nxehtë i tokës mbytet në freski.

Ku dallga shkëput copëza toke e i rërëzon.

Ku mali krihet a shpupurishet në pasqyrë.

Ku ushtima nga thellësia vjen e në thellësi migron.

Në det…

/www.qendrapress.com/