E mërkura poetike me poeten;Alma MEHMETI

 DUART ZGJATUR UNË E TI

—————————————-

 Udhëtimin me ty nisa,

Bija ime copëz shpirti,

Nga ti sot më pak, isha,

Kur jeta emrin nënë më ngjiti,

Unë u rrita, ti u rrite,

Bjer e ngrihu gjunjë copëtuar,

Shumë herë harruam në vite,

Jeta është vijë e lakuar,

Dy planetë unë dhe ti,

Toka e rëndë me halle shumë,

Ti je Hëna që veç më ndrin,

Ndalon shiun me furtunë,

Edhe çadër u bëre shpesh,

Më ruajte nga shi e borë,

Trishtimin në errësirë më zhvesh,

Gjithmonë gjej të zgjatur një dorë,

Shikimi ynë përplaset horizontit,

Rrethrrotullimin se ndalim kurrë,

Duart shtrëngojnë kalimthi çdo ditë,

Mes nesh i shembur gjithmonë ky mur.

 &  &   &   &

KJO TOKË QË DYERT E FERRIT HAP…

————————————————

Kjo kohë e marrë, qytetin zhveshur,

Nga qethet e vjeshtës verdhacake,

Tapet rrugëve të ngushta ngjeshur,

Nga pemët e vjetra dhe ato shkurtaqe.

Ky qytet i shkretëruar, zaptuar nga kafshë,

Njerëzinë mbyllur në kafaz hermetik,

Ligësia ka mposhtur me të sajin afsh,

Pa menduar për botën e vogël asnjë çik.

Ky det që shtrihet hapësirës tokë,

Si gjarpër gëlltit çfarë s’është e tij,

Sikur me djallin është bërë shokë,

Rehat, komod mysafir na rri.

Ky mal që vjell zemërim të zjarrtë,

E djeg pemën shumë vjeçare,

Të kuq kthen qiellin diamante,

Ta vjedh shtëpinë pa pyetur fare.

Kjo tokë që dyert e ferrit hap,

Rrëmben gjithçka me dëshirë të saj,

Dëshpërimin e njerëzimit bëri zap, Për shpirtrat që vodhi su ndije në faj