E mërkura poetike me poeten;Dava NIKOLLI

E mërkura poetike me poeten;Dava NIKOLLI

ËNDRRËS I DHASHË JETË

———————————–

Dua t’i them ëndrrës time të uruar,

se të kam bërë e dashur realitet.

Atë që dikur ta kam premtuar,

në at’ kohë fëmijërie…pra, buzëqesh!

Të jam betuar, në të madhërishmin Zot,

se kohën do ta ndal në vargje poezie.

Ëndrrat e mia t’i hedh nëpër fletë dua sot,

si nota pentagrami e si tinguj melodie.

Hapur do t’ia le dritaren ëndrrës,

t’i presë e përcjellë fluturat e mendimit.

T’i strehojë në arteriet e zemrës,

për t’u dhënë jetë, sythave të frymëzimit.

Për ta bërë natën ditë, dimrin pranverë,

i radhis shkronjat në gjerdan të jetës.

Shpirtit tim i dua si një relikë me vlerë,

e ëndrrës time t’i prijnë drejt së vërtetës.

GJYSËM SHEKULLI IM

——————————-

Nuk mund të të them

se të pres e gëzuar, o gjysmë shekulli im!

Meqë erdhe,

nuk mund të rri pa të përshëndetur.

Në mes zhurmave të fishekzjarrëve,

më rrëshqiti loti i heshtur.

Jo nga frika!

Këtë mbaje mend o gjysmë shekulli im!

Kur t’i numëroj gurët e moteve,

kujtohem se shumë prej tyre i kam tretur kot.

Me kokë ulur falje të kërkoj.

E di!

Çfarë kam humbur, s’i rikthej dot.

Ndaj mos më shih kaq i trishtuar!

Ç’mblodhëm, t’i shtrëngojmë fort.

Mos qoftë e shkruar,

të na ikin për një sekondë.

Ma jep dorën për të vallëzuar!

E di,

kemi qarë shumë!

Por më shumë kemi kënduar.

/www.QendraPress.com/