E mërkura poetike me poeten:Diana ZHITI

Humbëm

———————————-

Humbëm duke kërkuar njëri-tjetrin.
Apo diçka tjetër !?
Ndoshta të dyja bashkë.
Çarçafët u dogjën në zjarrin e dashurisë
dhe ne na mbuloi hiri i harresës
pak e nga pak.
Humbëm…
Pak egoizëm,
pak nënvlerësim,
pak siguri.
Një gjë është fakt…
Humbëm …
Po si se kuptuam fundin …!?
Por ja që erdhi.
Më pak përqafime,
gjithnjë e më pak puthje.
Vështrimet tona kryqëzoheshin
përherë e më pak.
Fjalët vareshin si stalaktika
të kripura .
Brigjet largoheshin, ne e shihnim
që ura po shembej,
dhe s’ bëmë asgjë
për të shmangur shembjen.
Apo brenda vetes e dëshironim…?!
Një gjë ishte e sigurt,
ishte si të ngeleshe në njërin breg dhe
lëkura në anën tjetër të bregut.
Humbëm në plantacionet e përmbytura
për të marrë më tej rrugë
të ndryshme rrjedha.
Humbëm në kohë të pa përsëritshme
pa e kuptuar zbehjen që na largoi
pak e nga pak
Humbëm pa e kuptuar,
ne fajtorët e pafajshëm.
Humbëm …