E mërkura poetike me poeten:Gerta Bandilli BECKA

Filozofia e ditës me shi…

——————————————-

Drithërima e ditës ishte dëshpërimi

i zotit tek krijonte njeriun prej balte

të plagosur ngjyrë gjaku si qielli.

E kam dëgjuar këtë legjendë nga rrëfimet

e zjarreve të shkretëtirave ku oazet

nuk ishin veçse imagjinata dashurish.

Jam magjepsur nga kjo enigmë, të cilën

nuk e dëshifroj dot në kode njerëzore.

Të lashtët e krijonin vetë botën

edhe tragjeditë e zhgënjyera si udhë të drejta

ku dërgonin bijtë të ecnin zbathur

për të kalitur shpirtin.

Vështrimet më janë dukur të padrejta,

sa herë kam kërkuar të shoh shkëlqimin

e flatrave të zogjve të verbër, memece

dhe Zotit i kam drejtuar lutje

për njeriun e baltës, që nuk e di

se ku e poqi në ditë të errëta

pa diell dhe shiun që binte pambarimisht.

E pafuqishme të mbledh rreth vetes shenjtorë

për të bindur zotin se nuk u krijova nga balta

dhe më tepër e pafuqishme

t’i shpëtoj tundimit për të mos kaluar

në cakun tjetër për të parë fytyrën e dritës.

/www.QendraPress.com/