E mërkura poetike me poeten;Kozeta ZAVALANI
Simfoni vjeshte.
——————————————
Mbi piano seç ka një vello
që mbështjell gjithçka,
bën sugjestionuese, tërheqëse,
të mistershme e të thellë,
jo vetëm qiellin e ujërat që rrjedhin,
por edhe ftohtësinë e ajrit,
nga e cila sikur ndjen të largohesh,
si i dashuri i një femre
që nuk ka arritur ta pushtojë dot,
ndonëse e ka ëndërruar gjithë jetën…
Në erën e frikës, që mbush heshtjen,
nuk mund të parashikoj fatin tim;
një lavdërim apo urim në kohë
sjell sado pak kënaqësi.
Luftoj për të lënë gjurmët e mia
mbi tastierën e jetës
në ajrin me oksigjen,
që shtrihet në brendësi të qiellit.
Shija e ëmbël e jetës me ka mbetur
brenda një kutie bosh çokollatash,
shijuar dekada më parë.
Shpresoj të përjetësoj mbresat e mia,
nga kujtesa e mbushur plot.
Si cipë opake te patejdukshme,
mbi piano
krijoj një botë të përralltë
mbi shpresën sizifiane…
/qendrapress.com/