E mërkura poetike me poeten;Shukrije GASHI
JETIME PA TY KOSOVË
————————————————–
Kurora Dafinash iku ëndrra qiell i purpurt
Lirikën e Mëmëdheut kurrë vertikal
në këmbët e veta
Kosova anije kusarësh romantik pa vela
tashmë harruar braktisur në muzeume
kështjella historish romantike
as nesër e dashuruar njëmend
nga piktorë vijash të kuqe a blu
pikturë moderne n’ harmoni me xhepat
Sa shumë dhembë mëmëdheu dje
stërkeqe ideali sot
sa ndryshe pikon pikëllimi për këtë ëndërr
pas kaq vitesh shpresë
Mall rinie trandë vegime rrugicave
Ilegale me kalldrëm dhe hije misteri
veshur me rrëqethje ideal Lirie
sakrificë për më shumë ditë me diell
frymëmarrje pa frikë nga Netë Bartolemeu
vrapime lozonjare fshehur prapa
strumbullarë kashtash shkujdesur
dehur me flutura dashnie n’bark
Një kaptinë romancë me vajin
dremitur n’ bukuri dhimbesh krenare
u ngjallë trishti sërish me pezëm në perëndim
dielli
Vajza me gershtë lidhur me një fjongo të kuqe
ushtari i vrarë në betejat e askujt për asgjë dje
heu sa poshtë t’ ka ra pazari Kosovë
një pëlhurë sedefi në raftin e librave
mesazh dashurie
qëndisur me fije mëndafshi
“..sa mall kam për balluket tua kaçurrela
varur me elegancë
mbi fytyrën tënde gonxhe …!”
e Ai iku n’betejën për tokën e
larë me gjak
nuk e piu më kurrë ujin nga krojet
e ftohta të bjeshkëve që i pagoi
me një batare plumbash n’gjoks
medet për krojet që shteruan
pa e shuar etjen e tij për mall dashurie Kosovë
për kaçurrelat që kurrë i preku
për netët me trastën plot fletushka Lirie në krah
djegur me karrem nga Tregëtar Flamujësh
sot
Kosova është strukur e trembur n’xhepa vartësish
një kacidhe muti hiq më shumë peshon sot Liria
pazar mesnate për një kacidhe pushtet
Qofshi të mallkuar po shkelët mbi gjakun e ushtarit
dhimba ime krenare arnuar varfër në vargjet e mia
jetime pa ty Kosovë…!