E mërkura poetike me poetin:-Ahmet PLLANA
BETIMI URATË
————————
Ndjekje plot besim e udhës së drejtë
Dëshmi vërtetësi e dritës së shenjtë,
Pahumbjes, patretjes, pamjegullësisë
E ditëve të bardha, ditëve të bukurisë,
Ngado që të shkosh, kudo që të vesh
Mirësi, bukuri të betimit do të gjesh.
GURËT E BETIMIT
—————————-
Gurët e betimit kahjen nuk e ndërruan
Valëvitje trandje si qirinjtë të ndezur
Asgjë nuk ngeli, asgjë nuk harruan
Kërkesë përjetësie në lulen e mekur.
NË PRITJE
——————————
Po pres një takim kaherë t’ëndrruar
Fantazitë t’shkrihen në çaste mrekullie
Sërish me shpresë ëndërroj i gëzuar
Çdo gjë e mundshme n’kohë dashurie.
Ky përjetim ëndrre me shuarje zjarri
Ka ngelur në shkëmbinj i vdekur
Iu duk jeta si zgjuarje nga varri
Shpresa mos të mbetet zog i mekur.
/www.QendraPress.com/