E mërkura poetike me poetin;Llesh GJOKA
BOTA ME FËMIJËT
————————–
O zot, nuk e dita, nuk e kam pikasur më parë
O zot, ç’madhështi më dhurove kësaj here
Ata më kanë zgjedhur në perandorinë e tyre të bardhë
Në vendin pa kufij, pa ligje e sherre.
O zot, më lumturove vertetë, pa kuptuar
Më shëlbove me më të madhen dritë dhe gaz
Në botën e tyre, i nderit jam i ftuar
Kolltukun ma kanë shtruar mbi lule dhe bar.
O zot, si nuk e paskam njohur këtë gjallëri
Që më lëron çdo brazdë të shpirtit tim
Të jesh, të bëhesh edhe njëherë fëmijë.
Është pērqafimi i botës pa kufinj.
O zot, për mua e paske ti të shkruar
Mes tyre të shkrihem i tëri, të lazdrohem
Në qiellin e paqtë jam naltuar
Me sy pëllumbi njatjetohem.
O zot, si më kandise në moshë pleqërishte
Të ecësh nëpër vise ku lindin përralla
Të luash me xhuxhë a viganë kokëkrisur
Të dhurosh puthje princi, të ringjallet Borëbardha.
O zot, ç’ishte kjo bukuri, kjo fantazi
Të fluturosh mbi qilima a mbi zogj si avionë
Të arratisesh larg mbi pyje, në kaltërsi
Të udhëtosh me hënën në mbrëmjen e vonë.
O zot, mos e ndal këtë gaz pa fre
Më le ashtu shakull këtu ku ngjallem
Dua të dëfrehem me ëndrrat këtu, kurrë atje
Bard i lumturisë së fëmijëve do të shpallem.
O zot, fëmijë i lumtur dua të jem
Të rritem është një brengë e madhe, një përgjegjësi
S’jam gati të thinjem, të zhgënjehem
Kohën do ta ndal si me magji.
/www.QendraPress.com/