E mërkura poetike me poetin:Llesh GJOKA
NOKTURN
—————————-
Me këngën e fundit do të më zërë gjumi
Ndoshta tekstin në ajër e shkrova ashtu shpejt
Muzikën ma bëri një mik me violinë
Kur me darovitjet u ndjeva shumë keq
S’e s’kisha falur asnjë lypës përdreq!
Me lutjen e fundit për ty do të më zërë gjumi
Me fytyrë të ngrirë nga kisha e Shën Llezhdrit
Ndoshta tash ma rroku shpirti qetësinë
Pasi u rebelova dynjasë me të gjithë
(Pse o zot e mbruajte kështu ti njerinë?).
Me fjalët që s’u thanë mes nesh do të më zërë gjumi
(Ah sa fjalë kumti kisha menduar për ty!)
Në një gjumë të thellë, u kredha në jermi
Duke u kolovitur në ajër lehtë si një pupël
Hëna në dritare më buzëqeshte përkarshí.
Me ëndrrën që pashë mbrëmë do të më zërë gjumi
O Zot i madh, u ktheve përsëri!
Si një engjëll krahëlehtë, i bardhë si biluri
Ashtu më paqton, ashtu më frymëzon:
Çfarë është një jetë pa ty ?!
Me heshtjen e natës do të më zërë gjumi
Gjysma e ëndrrës unë, gjysma tjetër ti!
/www.QendraPress.com/