E mërkura poetike me poetin:Llesh GJOKA
TROKU I KALIT
—————————–
Një kalë i bardhë pandehur ndali trokun para meje
Ia dëgjova tingëllimën e lingës prej tunxhi
Një kalorës shtinjak si unë mbase nuk e priste
Plot zulmë po vinte, një fuqi e epërme ia përkundi.
Në rendjen e tij plot sitmë dëgjoheshin thirrje luftëtarësh
Kur u ndal në pritje shkundi krifën i galduar
Lëshonte afsh të zjarrtë nga goja me ca dhembë fildishi
Nuk ishte një kalë si të tjerët, kishte qime të praruar.
Njē Pegaso mbase kishte qenë në fluturim
Kërkonte zjarrmëtarë të tjerë që flijoheshin për muzën
Dhe shigjetarë të shëlbuar të shpirtit për shpëtim
Në garë s’kish të tjerë që t’ia ndalnin udhën.
Në pritje hungëriti zëlartë dy – tri herë
Pajimet kērkonte t’ia drejtonte një zot
Pastaj u zhduk si vetëtimë nëpër erë
Në rendje të qëllimtë gjithkund nëpër botë.
/www.QendraPress.com/