E mërkura poetike me poetin;Rexhep HOTI

Rexhep Hoti – Bisedë me Gjeniun (1997)

I.

E çamë letërsinë mes për mes,

Nga Gilgameshi e gjer më sot,

Dëshira për të ikur nga Vdekja,

Tmerron bukur gjithmonë në këtë botë.

II.

Te Perënditë u ndalëm ca më tepër.

Zeusi na u duk i prerë si gjithmonë.

Të pangashëm e takuam Eskilin,

Duke kërkuar Humbjen në Panteon.

III.

Kur desha të shkruaj për Errësirën,

Që ju e zbërthyet me aq dritësi,

Kamerieri tek e sillte kafenë

Ma mbyti mendimin diku në heshti.

IV.

Atë të fshehtë s’e nxora dot më,

U zhduk, më ra Nëntë Rrathë Nëntokë;

Kështjella ku ishte balsamosur Krimi,

Ik, më tha, këtu s’hyn dot , o Donkishot.

V.

Po unë ku të vete me Ausweis gjerman?

Vetëm dyzet kilometra mund të rrugëtoj.

Heim-i as s’më mbyt, as s’më braktis,

Veç në ëndërr si Lord Drejt Shqipërisë Lundroj.

VI.

Do bëj marrëzi, do shkruaj një Letër;

Bukuria e Vajzës të më fle mbi buzë.

Të Kuqën, të Zezën do ta puth Koprrac,

Si një Shpirt që pi poezi në Muzë.

VII.

Cigarja s’nxjerr tym më mbi tryezë.

Parisi po zhytej ngadalë në neon.

Tek e shikoj Notre Dame-in e moçëm

Më shfaqej si Fantazmë Kurorëzimi

I të Shkurtit Napoleon.

Paris – Remscheid, tetor 1997

Nga vëllimi poetik «Përzierje e trishtë», Prishtinë, 2002.

/www.QendraPress.com/