E Mërkura poetike me poetin:Sabit RRUSTEMI

SHKUNDE ATË MAJË KODRE

( Në kujtim të dajës Rexhë )

———————————–

Shkunde atë tufë lisash mbi tënden kokë

e atë dhe që nuk t’lë me dalë n’verë

shkundi përnjëherë e dil

dil se edhe dielli po t’shkrihet n’sy

e mbi vetull ajo kumri e ai zog mali

po k’non sall për ty

Hajde Rexha i Dadës Loçkë te plepat mbi shpi

ta shohim Rrushen kah ecë Shtegut t’Kronit

Ata sy të thellë e të zinj si dy kokrra drite

tek ajo degë lisi i ka varë me t’pa

Mos prit më

loti i pashterrur i motrës – o

trande atë majë kodre që t’rri sipër

e dil

se dhe trarët e shtëpisë

e troku i dorisë

janë nxirë e mpirë prej pritjes

Sokakun e ka m’lu bari

udhës pas shpie therrat mal janë ba

tek ajo Qafë n’atë cep shpati

kanë ngelë pranverat verat e krejt tjerat

O Rexha i nënës – o

mbi oxhak plisi i dhembjes përditë pret

e… pritja sa herë e nxinë

agujt e syve tanë që hapen me dashurinë për ty

e zbardhojnë

Nëpër lotë zjarri unat e votrës

si me tela sharkie prushit të mbledhur

vallen e Deli Agushit luajnë

pa të cilën valle Ti s’mund t’i mbyllje sytë

Dhe ai lis n’atë kukë mali e ajo Lajthi

ku shkrujshe djega e ëndrra për atë Peh’rri

nga malli po digjen për ty si kjo ditë e sotit

kur e prekë atë fund të motit

Mos prit më

lutet dhe motra gurëzuar te votra

Shkunde

përnjëmend shkunde atë majë kodre

se ti je vetë Plisi e Lisi

ku dita përditë sillet rrotull

ndërrohet e nuk soset

Shkunde e dil si n’legjenda të moçme

e shihe atë Rrënjë të njomë gjaku palëve të tokës

qysh rinohet duke i thithë kohët

mbi frone zeusësh

Pastaj n’daç rri n’daç kthehu

n’daç fshihu prej syve tanë

deri në një kohë të re

/www.QendraPress.com/