E mërkura poetike me poetin;Setki Q.JASHARI

Pse e shkatërruat fshatin…!?

—————————————-

U bë shumë kohë që jam i vetmuar…

Në fshatin tim t’braktisur, shkatërruar

Këtu nuk ka gjallëri, s’ka as cicërima

Ka ikur edhe dreqi, se ka rënë gjëma

S’ka më asnjë njeri, për të kuvenduar

S’ka më urbanë, as taksi dhe makina

Jam vetëm unë dhe kali im, i sakatuar

E shëtisim të dy, ndër fusha e lëndina

Mashtrohem shpesh, se fusha ka gjallëri

Sikur ka punëtorë, të gjithë duke nxituar

Por shpejt zgjohem, ndihem keq i mjeri

S’ka më rëndë, kur sheh tokat shkretuar

E pres muzgun, vërdallosur rreth avllis

Tek loz si kloun, me macen dhe qenin

Dhe mendja më bredh, në vitet e rinis

Kur doja t’fluturoja, t’prekja dhe qiellin

Darkave memece, me televizorin flas

Dëgjoj se lufta, shumë keq ka filluar

Nga tmeri që shoh, i zemëruar thëras

Ç’faj kanë fëmijët, o djaj të mallkuar

Vras vetminë në dhomën e boshatisur

Zhbiroj ndër qoshe, sënduqe të mykur

Çdo natë vonë, shoh të njëjta fotografi

Dhe vuaj, këlthas: “ç’është ky fat i zi”

Gërmoj gjithmon, në sënduqet e kalbur

I djegur nga malli, kërkoj kohën e ikur

Shoh fëmijët dhe gruan time të vdekur

E pse t’jetoj, kur asgjë s’më ka mbetur

Por vërtet kam një mik, e kam oxhakun

Flaka, drita e tij, mbajnë gjall bajrakun

E në ball të dhomës, kam një karabinë

Pa vdekur unë, s’ma zë hasmi shtëpinë

Flakët fiken, e prushi mbulohet me hi

Oxhaku më fton në debat, me çiltërsi

A mban mend m’thot, kohën e shkuar

Kuvendonin burrat, gjith natën zgjuar

Më kujtonte oxhaku, mrekulli shumë

Më rrëfeu çdo gjë, sa më la pa gjumë

Kur piqnim misra, kungull, gështenja

Piqnim kërpudha, pastërma, mëllenja

Më kujtoi babgjyshin, të moçmin plak

Kur thithte llullën, me fytyrë menduar

Rrëfente për fise, për oxhaqe e bajrak

Tregonte histori, për kohën e shkuar…

Eh, nostalgjia, më kujtoi shumë histori

Sofrat e mbushura me bura, gra, fëmij

Bëheshin morte dhe dasmat me hijeshi

Por sot asnjë, për asgjë s’dëshiron të dij

Dhe ngrihem i çakërduar, e me veten flas

I mërzitur, i nervozuar, çirem dhe bërtas

Pse e shkatruat fshatin, ju, o të mallkuar

Kjo marëzi që keni nisur, a ka të mbaruar

/ëëë.qendrapress.com/