E premtja poetike me poeten:Barie ÇUPI
Shëmbëllesë me frymë jete
————————————-
…derdhur ajrit
përthyer dritës,
aty ku shpërndahen e zgjerohen zanat,
zani i gru’s bahet erë e shi,
rrenqethet e pezmatohet ylberesh jeta,
pishat faqes shpatit rrisin qerpikët,
guralecëve të zallit lëpihen leshterikët,
zhvishet rrejshëm pema,
ky cikël në përjetësi.
…e dushqet prap shumëzohen,
e prap thinjen brymës së vjeshtës,
në bark të kohës qullna tolloviten,
qiellzash tek -tuk shtërzohen,
si nën guackën e breshkës,
s’andejmi bërtasin të madhnueshëm,
trofe burrnore sfidohen,
ca grahama tirren tinëzare,
trysni,pazare,
artificialë,
në lëkurën e mavijosur të gru’s
shtendoset ditë e marrë.
…fole fatesh njerëzore,
veshur me frymën e rrugës,
xhubletë e akullt,
e ftohur nga inate gungaçe,mizore,
një i madh autor më kujtoi mëkatet e Judës,
jeremisur afshesh pa droje.
…derdhur lajthitjesh
shifra të lashta i kishin hyrë në hak edhe Zotit,
amullish,gërmuqur e mbarsur,
ndërlikuar këta të sotit,
hallakatur,
n’fyt të gru’s një lëmsh moçalor që prej motmotit,
…vorbuj mjegullash qullin mëngjese,
stinës së kristaltë i filluakan ditët,
fundvjeshte,
një zemër pompon deri matanë horizontit,
nuk luan vendit as përroi e as mali,
në inde shkumëzon malli,
i shtangun,
i mërtisun,
sa një obelisk fuqia e lotit.
në kokërdhokë të syrit
shpërbëhet,
drita e fildishtë vargjesh krisun.
rrëzojnë të fundit gjethe pendët e korbit,
sërish në kurba zhgënjimesh burgosej,
pauza heshtjesh,
shëmbëllesë me frymë jete,
një gulçimë në gjoksin e gru’s
plandosej,
përftonte gamën optike,
qante dhe qeshte.
…në shesh pastaj sa një diell
u ulën plot tinguj,
në rrokje,
në ikje,
në poezi
në mendjen e gru’s u çua peshë
një zjarr i brishtë pa kortezhi,
shpërthim i papërfillshëm,
pa marre zbrazet truri,
shkasin e nguliten fjalët edhe pa terezi,
reshjet mërdhasin stinën,
shpirti gru’s ndrydhet,
ditës vrapon e ëndrrash natën përplaset,
thyhet breshëri,
në zheg e në të ftohtë,
kohës prap nuk i qaset,
në gotën e verës len buzëkuqin e saj,
si violinë e drunjtë,
aromë jargavani apo melodi,
si Venusi yll,shkëlqen kollaj,
gëzon e nuk sprapset…qesh e qan si fëmi.