E premtja poetike me poeten:Nurie EMRULLAI

Pjekja e kohës

——————-

Lëkura jonë preku mjaftueshëm,

ndaj s’flasim më as për motin,

as për gjellën e preferuar, as filmin e fundit…

Ti gjithnjë zgjedh këndin afër dritares…

Lundrojmë ishujve të kujtesës,

barka jonë është koha që dita-ditës pret përmbytjen.

Ti atje je gjithmonë i ri,

gjithmonë i uritur për atë që e kishe dhe nuk e dije.

Bindshëm më flet për ngrohjen globale,

(veç zemra s’tu ngroh);

për mosekzistencën e Zotit,

sepse je lodhur prej urisë tënde

e pangopur me bukë e me të panjohur;

për shtëpinë tënde që kurrë s’të ndjeu se i përket;

miqtë që s’të kuptojnë edhe pse hëngrët nga e njëjta pjatë;

për shokun që ta vranë

dhe t’i varros çdo ditë fantazmën e tij në një gotë;

për gratë që s’të kuptojnë se ndjeshmëria jote s’rri në lëkurë…

Rrushi mbi pjatë po pjek veten.

Me pjekje ëmbëlsohet,

Nga mosdurimi i ëmbëlsisë, fillon kalbet.

Dhe ti vazhdon të mos vëresh se jam,

Ndërsa unë vazhdoj të jem të gjitha këto:

nëna që s’të dëgjoi, gruaja që të shembi rininë,

fëmija që u zhbë mbi bark, shoku që tradhtoi minutën e fundit…

Dhe vazhdojmë lundrojmë ishujve të kujtesës…

Ti kërkon variacionet mbi hakmarrjen,

kafshon dhëmbët dhe kërcëllon gishtat,

dhe unë rri në anën tjetër të dhomës,

mjaftohem me pak dritë që ty të tepron…

/www.qendrapress.com/