E premtja poetike me poetin ;Agron Shele

Në fshehtësitë e mia
———————————-
Në fshehtësitë e mia
gjithçka rrjedh si një lumë i trazuar
rrëmbimit të shirave të vjeshtës
shkarje dhe rrëzim,
pastaj një valë e bardhë
që përngjan me dredhat e një bukurie të pa rrëfyer
turfullimit të muzës e krela flututuruar nëpër erë
lagur nga loti i dhimbjes së reve
dhe grisur qiellit mbi qilimin e verdhë të stinës.

Në fshehtësitë e mia
kaosit të përditshëm ngre perdet e shpirtit
vallëzuar në ujëra të turbullta,
si një shkulmë që zhvendos pamjen e heshtur,
në të fundit kthjellim
shfaqur për të zgjuar çastin e vetmisë
dhe larguar brigjeve, pa mëshirë.

Në fshehtësitë e mia ka një botë
ka dhe një ngjyrë
ajo e perëndimit të diellit pas horizonteve
dhe zogjve të harruar shtegtimit.

 &  &  &

Rreshti shtatë

——————————

Tashmë jam tek i njëjti stol

rreshti shtatë

kolona shtatë dhe e njëjta kupolë

ajo e një engjëlli që fluturon nëpër qiell

shenjtëruar prapë tek e njëjta pamje, që zografi e pikturoi plot dëshirë e dhimbje.

Jashtë skulpturat e grimcuara lahen nga shiu

ose uji i bekuar i Perëndisë,

ndërsa përkulja e thellë dhe bindja e plotë

janë më shumë një tundim për paqen në amshim.

Dikush ka gabuar

shenjtores së re i kanë zbuluar hiret,

ndërsa ajo lutet me psalme dhe blasfeminë e memories së kryqtarëve të kthyer.

Jam tek i njëjti stol

ndoshta përkon me lutjen e dikurshme të Bodlerit,

që dhe pse e dëbuan për demonët në kokë

ai falej prapë tek Shën Mëria!