E premtja poetike me poeten: Alma Zenellari

 PËR TY, NATALI

(dhe pse nuk të njoh ende, ke trokitur kaq pafajësisht në zemrën time)

Lëndina mbushur me lule ëndrre,

ma bën ta dua pranverën shumë,

I prek me doçkë’, u them fjalè zemre,

një lule e bukur jam edhe unë!

Si ty flokëverdha që luan me diellin,

petalendritur më kthen kjo stinë,

Pastaj dy krahë që puthin qiellin,

dhe yje derdhin mbi lëndinë.

A s’është e bukur lëndina ime,

aty jam unë dhe pafajësia,

është shpirt i mbushur me blerime,

Një diell i artë, fëmijëria!

/qendrapress.com/