E premtja poetike me poetin; Luan RAMA

Poetët Vdesin Si Zogjtë

Arben Shehi shkoi të shuajë
dritën e tij një natë më parë.

Poetët bien si zogjtë,
të parët,
goditur nga rrufetë,
sepse ata janë më afër stuhisë dhe diellit,
poetët janë zemra zogjsh gjithë plagë
prandaj bien të parët,
krahëthyer e përgjumur
në një vdekje të pambarimtë
dhe në një jetë që nuk shuhet,
poetët vdesin të parët
pasi ata kanë rrëmbyer zjarret dhe zërat qiellorë
prandaj dhe qielli i dënon ata,
poetët vdesin të parët nga cfilitja e madhe
se gjithë jetën ata mbjellin dashuri,
poetët shuhen nga loti dhe malli i gruas,
poetët të djegin zemrën dhe të lenë pa frymë
me vdekjen e tyre,
poetët djegin gjithnjë me sytë e tyre të hapët e të lagësht…

/www.qendrapress.com/