E premtja poetike me poeten:Anila KRUTI
Bëhu varg
———————————
Kur të vish ti i dashuri im prej dielli
do kenë çelur qershitë ndanë rrugës
Shirat do jenë kyçur në pyllin e gjelbër.
Ndoshta ,
mua nuk do më zërë kolla nëpër shtëpi
dhe dora nuk do më dridhet te porta pritjes.
Kur të vish ti i dashuri im prej dielli
Unë do të bëj gati valixhen me ftonjtë erëmire
Të ikim në qiellin e shtatorit.
A ndoshta ka kaluar koha! Se di…?
Sidoqoftë kur të vish një ditë ëndrre
i dashuri im
jam duke numëruar fjollat e borës
mbi flokët e mi
a duke lexuar ndonjë libër në këndin e dritares.
Kur të vish ti i dashuri im
ndoshta janë prishur udhët
Po ti mos u kthe !
Të paktën…
Eja, në poezi
Bëhu varg .
/qendrapress.com/