E shtuna poetike me poeten;-.Brikena QAMA

QYTETIT TIM

————————————-

Unë jam bijë e qytetit të gurtë

që ngjan me grushtin e dorës shtrënguar nga malet përreth.

Kur qielli qan mbi qytetin tim

lotët thërrmohen nëpër shkallë

zbritjes për në Osumin inatçor.

Përgjumja e qytetit tim

duket si një mace e hirtë

mbledhur kulaç pranë oxhakut

gjithmonë e gatshme për të rrëmbyer një copë pastërma.

Mëngjeseve

fshesarët seleksionojnë ëndrrat

filtruar në bishta cigaresh.

Qyteti im nuk është i zhurmshëm

nuk ka as kishë me këmbena

as xhami me minare të larta

por thuhet se tempulli i zotit

është në majën më të lartë

të qytetit tim

/www.qendrapress.com/