E shtuna poetike me poeten:Mimoza Maria AJDHOMI
MIMOZAT E PORTRETIT TIM
—————————————-
Qetësi marramendëse në dhomën time,
një mesnatë nga të tjerat disi ndryshe.
Sytë e mi humbur te korniza përballë.
Pse m’u duk befas se aty ishe?
Shkund veten e tëra dhe të pyes:
– Është vonë, nuk ke fjetur akoma?
Përgjigje kërkoj në sytë e tu.
Si t’i mposht ndryshe orët e vona?
Jo, aty s’mund të ishe ti. U marrosa?
Aty ku portreti im ishte dikur,
ti vetë e zgjodhe fotografinë time,
me ngjyrë të verdhë kishe lyer atë mur.
Ty mimoza të pëlqente të pikturoje,
me ato e rrethove portretin.
Dikur qeshja me shpirt kur me thoshe:
– Do doja me të verdhë ta pikturoja detin.
/www.QendraPress.com/