E shtuna poetike me poetin:Kadrush RADOGOSHI
EURIDIKA U SHNDËRRUA NË FJALË
———————————————————-
Ishte ajër dhe ujë në fillim
Rreze dielli, ndriçim hëne e vezullim yjesh
Ishte në fillim Euridika.
Pastaj e bënë fjalë dhe e dërguan në burgun e heshtjes
Atje e veshën me rroba të grisura kuptimesh
Të ndotura nga jargë rrëshqanorësh
Të tërhequr zvarrë nëpër paragrafë kushtetutash,
Historish, monografish, biografish…
E shkula me rrënjë nga ato kontekste idiotësie
Ia hoqa një nga një rrobat e vjetra dhe tërë zhele-zhele
E futa në ujin shërues që buronte
Nga rrënjët e Lisit të Shenjtë
Pastaj ia lava sytë me qumështin
E gjirit të Rozafës të lënë jashtë murit të kështjellës,
E gjirit të Nuses së Re të lënë jashtë themeleve të Urës së Shenjtë.
Fjalën e larë e të shëruar e putha në të gjitha pjesët e trupit
Pastaj e mbolla në arat e mendjes dhe shpirtit…
Ajo i lëshoi rrënjët thellë-thellë
Lis Jete u bë
E filloi të më bëjë hije mua Orfeut,
Pastaj hyri në këngë për të mos dalë kurrë.